venerdì 25 settembre 2009

A pret art, o i zoti i shtëpisë!

Event Kolateral i Bienales së Tiranës
Stefano Romano – Francesco Pedrini – Andrea Nacciarriti – Claudia Losi
Inagurimi:
23 shtator 2009, ora 18.00
Referon Sara Mazzocchi – editore “libri aparte”
Zenit Gallery
Blv. B. Curri, P. Agimi, 151 Tiranë
23.09 – 03.10.2009
* * *
A pret art, o i zoti i shtëpisë!
Two words in four ways for “4 ways to…”

1- Në pamundësi për të ngrehur një shkrim (që si traditë, paraprin çeljen e një ekspozite “Zenit”) të bazuar në këqyrjen e ngeshme, zakonisht natësore, të veprave prezente në galeri qysh disa ditë përpara, sot për këtë ekspo do t’na duhet të endemi si në lojë fjalësh vetëm rreth titullit të shpallur prej artistëve të saj. Të cilët janë vetë ideatorët e projektit të një udhëtimi eskursus nga Italia në Zenit dhe, rrjedhimisht, punët do të jenë konseguenca dhe rezultati i impresioneve të itinerarëve. Kësisoj, edhe përgjegjësia mbi paraqitjen në këtë eveniment satelit të Bienales së Tiranës mbetet krejtësisht e tyre dhe konceptimit të aktivitetit edhe në planin kuratorial, meqë “Zenit art” në këtë rast është veçse vatra bujtëse e këtyre udhëtarëve që, me nga një kumt a boçe arti në kurriz, trokasin dhe kërkojnë strehë e konak rrëfimi.

2- Metafora e Udhëtarit dhe rrugëtimi i tij përfaqësojnë më së ploti, si asnjë tjetër figuracion në art, modernitetin po aq sa dhe antikitetin qysh prej Uliksit antik të Homerit, që është e mbetet gjithaq modern, tek Uliksi i Joyce-it, ndonëse i përkundërt me atë homerik, por gjithashtu edhe antik, që ruan përgjatë kapitujve të vet lidhjen evidente me Odiseun. Dhe ku secili kapitull mbart regjistër muzikal të ndryshëm, si dhe një ngjyrë të vetën, gjë që e mban të lidhur ngushtë edhe me artet e tjera. Por ama, është kërthiza e paprerë me Homerin dhe udhëtarin e tij, garanti i fisnikërisë artistike edhe për udhëtarin e shekullit modern të Joyce-it.
Ndaj dhe iluminizmi, përtej klasifikimeve prej periudhash historike e arti, zë fill pikërisht me Odiseun. Pse është ai, njeriu i parë iluminist; udhëtimi i tij mbet i pari aksion përndritës, qyshkurse shkëputet e shpërngulet prej habitatit të vet, pra i dredhon fatit të përcaktuar e i bën bisht pajtimit me të parathënën, ujdive të bindjes, qofshin këto me perënditë.
Kësisoj, që nga zanafilla epike Homerike e më tej në përthyerjen e një revolucioni linguistik me mjete shprehëse prej Joyce, i gjithë fondi artistik i kohërave mbart brenda korpusit të vet rrekjen e njeriut për njohjen e njeriut, viseve e bëmave të tij, e prej këtej: te njohja ende e pakryer dhe ndoshta e pakryeshme e vetvetes.

3- Vetë tema e përzgjedhur nga 4 artistët në Zenit, e paralajmëron ekspozenë e veprave, që tentojnë të përcjellin përjetime me mjete arti të ndryshme, të shfaqet pra, me ngarkesë narrative e në afinitet me udhëtimet pikareskë, por edhe, nga ana tjetër, me atë introspektiv e brenda vetes, si atribut e qëllim i ekzistencës së vetë artit.
Nga një këndvështrim prej realiteti shqiptar, një udhëtim i tillë si ky që aksioni i artistëve italianë rreh të demonstrojë, do të ishte edhe një antipod i udhëtimit në kah të kundërt i emigrantit të këtushëm, meqë këta të fundit nisen nga bregu që i bashkon nën të njëjtin motiv – ai prej nevojës së materiales me destinacion drejt më të mirës. Drejt të panjohurës mbase dhe të paimagjinuar, duke pranuar edhe udhën e rrezikshme e shpesh të jashtëllogjikshme për të mbërritur vendin e “Shpresës së Mirë”. Ndërsa ky udhëtim artistik, drejt një ekspozite, bëhet anasjelltas, prej ekzigjencash arti e imagjinate, si dhe përmes trajektoreve të ndryshme për të arritur në një destinacion të mirëditur e të paracaktuar.
Mesa mund të merret me mend, edhe ekspozita pritet të ketë një kuadër disi pikaresk. Siç dihet, termi pikaresk kategorizon romanet në trajtë narrative autobiografike me rrugëtime e udhëtarë, diku aventurierë seriozë e diku hokatarë, tek ironizojnë dhe i zvjerdhen shoqërisë shtypëse ose barrierave e pengesave, shpesh të pamëshirshme apo dhe absurde, që hasin udhës. Kësisoj, përfytyrimi për këtë ekspo dhe termi më sipër, të shpie me mendje tek prototipet letrarë të kryeveprave – Don Kishotit, Tom Jonesit të Fieldingut, Robinsonit të Defoes, Guliverit apo Shvejkut, gjer te Celine e “udhëtimi në fund të natës”- ikonat e përjetësisë së romanit dhe eksperiencave njerëzore të përpunuara artistikisht.

4- Edhe një detaj, tek i cili besoj (apo, të paktën, besoj se plotëson “leximin” e konceptit të ekspozitës): EËHT]. Nuk ljësë’. Nuk lidhet me bukur, autor] urta gjuha jonë, fjalës eksperiencë i thotë përvojë. Kështu, na e kthjellon kuptimin se si përvojtje ajo s’mund të mëtohet së jashtmi e në eskursion, pra si eksperiencë ekstra e zgjedhur nga udhëtari, por veçse si përvojë–përvuajtje dhe pré e shtyrjes në udhën e mundimit. Po ashtu, rrafshi kuptimor i udhëtarit të gjuhës shqipe, që prej eposit, baladave e më tej poemave të mëdha arbëreshe e gjer sot e kësaj dite, na e përcjell drejt e në lëkurë ndjesinë empatike lidhur me detyrimin për të marrë udhët nga e keqja dhe halli, dhe jo si një voyage i dëshiruar, i mirëpërcaktuar apo soditës. Herë i lidhur me mërgata shpëtimi e shpërnguljeje për t’i ikur vendodhjes, e herë nën shpresën e një jete a fati më të mirë.
Ashtu si arketipi njerëzor nën vulën e Uliksit homerik – që edhe pse model par excellence udhëtari, sikur nuk dëshiron të mbetet thjesht udhëtar përshkrimtar e rrëfimtar eksperience, por më së shumti një përvojë e gjallë përvojtjesh udhëtimi si qëmtim e vështrim introspektiv brenda vetes -, arti bashkëkohor mban pashmangshmërisht edhe vulën e modernitetit, të shenjuar gjithashtu edhe si kërkim prustian i Kohës; e bashkë me të, brendisë, interioritetit të qenies njerëzore. E meqë mbërritëm në këtë fund shtegu, ndjej se këtij teksti modest për çeljen e një evenimenti artistik, do t’i shkonte një kornizë prej devize Prousti: “Udhëtim i vërtetë kërkimi nuk është të zbulosh vende të reja, por të gjesh sy të rinj”.

K. Zejno, Zenit – Tiranë, 23 Shtator 2009

mercoledì 22 luglio 2009

Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë

-Intervistë rreth romanit “Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë” të Idlir Azizit

Idlir Azizi është sa filozof aq edhe shkrimtar. Janë të dyja këto drejtime që ngërthejnë degëzat e frymëzimit të tij përmes njëra-tjetrës, e megjithatë ia mbërrijnë të japin një gjini të pastër, siç është edhe rasti i këtij romani të vogël, i cili titullohet “Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë”. Ky roman sapo ka dalë në dritën e botimit nga “Zenit”. Është një roman i vogël por i plotë, me frymëmarrje të gjallë, që ta jep filozofinë përmes figurës, e figurën përmes vorbullës së fjalës, ose më saktë përmes këtij kaosi e trafiku të përmasave të mëdha të ligjërimit të sotëm popullor. “Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë” i Idlir Azizit është një roman që zbeh kuptimin e shkronjave të mëdha, emërtimet e përveçme e gjithçka që gramatika e kërkon, sepse transformimi ka ndodhur tashmë në ndërgjegjen e personazheve të cilët janë të magjepsur pas delireve dhe ideve të ardhura nga brenda, dhe janë çoroditur prej dhunës së ushtruar nga jashtë. Pra, romani është një përballje me deficitin tonë mendor e shoqëror në epokën e sotme duke lexuar përmes rreshtave, asgjë e jashtme s’ka më rëndësi, as pushteti, as politika, as hierarkia, çdo gjë që vjen nga brenda, sado e çuditshme që të jetë, ka më shumë domethënie. Ky është edhe procesi i vetëkompozimit të romanit, që para së gjithash dikton një stil të veçantë. Gjithçka që thuhet zbulohet në brendësi, shprehet në brendësi dhe merr jetë me heronjtë që shfaqen në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Është pra një peisazh filmi psikoanalitik, i shprehur aq bukur sa e vërteta që rri e nderur para syve tanë përmbi 50 vjet e më tej, di të zbulohet megjithatë për herë të parë në romanin e Idlir Azizit. Ky roman i veçantë, që lexohet si duke rrëshqitur mbi të, vjen në letërsinë e re shqipe përmes formave të një ligjërimi të çrregullt, si një përrua pas rrebeshit që gjarpëron me prurjet e tij shpinës së ujit, sado të rënda të jenë ato. Azizi ka një shpjegim të tijin për stilin e pazakontë që ka përdorur në këtë roman, ku copëza bisedash e mendimesh japin gjithë harmoninë e një kompozimi, ku mjedisi shfaqet i plotë e në mënyrë të paimagjinueshme, i ndriçuar nga të gjitha anët, dhe njeriu vjen i zbuluar deri në gen. Vërtetë ky roman është pothuaj një film i fundit mbi komunizmin tonë, i mbartur në psikën e më të rinjve të atij brezi që sot janë 30-40 vjeçar, që vetëm u rritën në atë regjim e tashmë s’dihet pse janë një plejadë ende e indoktrinuar. Katër “historiane” femra, që rastësisht kanë të njëjtin emër, të ngjashme me ato të Filozofisë në Buduar, duke përdorur teknikën e telefonit të prishur, të fjalës së qarkulluar arrijnë të ndërtojnë të gjithë ngrehinën e këtij romani, disi misterioz, ndërkohë që përmes kësaj interviste autori Idlir Azizi na e bën shumë të qartë stilin specifik kur thotë se “tek e fundit, e gjithë dija është veç një pasuri e transmetuar, në lëvizje: mesazhe të kapura, të interpretuara e të keqkuptuara, si kudo e si në çdo kohë. Por ama mbetet gjithmonë edhe emancipimi, në fund”.

Intervista

Rreth romanit Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë të Idlir Azizit

Duket se forma e të shkruarit në këtë roman paraqet disa vështirësi. A është ajo krejt e huaj për lexuesin tonë?

Pavarësisht dukjeve, forma e përdorur në libër është gati e thjeshtë. Ajo bazohet mjaft në parimet e ligjërimit gojor të epikës sonë, siç e kemi mësuar. Ambjenti ku ligjërojnë këto katër personazhe, është njëlloj me modulin e odave të burrave dikur, por e kthyer së prapthi, për një qëllim të caktuar: për t’i lënë krejt ligjërimin personazheve femra, ose ato që Masoch-u dikur i konsideronte si çlirëse të mundshme të historisë. Nëse nuk e vëmë re një efekt të tillë, shenjat e ngurrimit ndaj emancipimit janë fatkeqësisht shumë të dukshme. Në të njëjtën mënyrë, shumë përdorime brenda tekstit rrjedhin nga poetët shqiptarë mes rilindjes dhe modernes. Për shembull, vajza që sodit ëndrrën e së ëmës nga fundi i librit, është ndërtuar pikërisht duke kthyer së prapthi soditjen te Zoga e Ndre Mjedës. Por për hir të situatës në libër, më duket e vlefshme të shkëmbehen rolet: këtu është bija që sodit ëndërrimin e nënës.

Atëherë ku mendoni se ndodhet risia në këtë roman dhe në temën që trajton?

Libri nuk ka ndëmend të përcaktojë ndonjë fjalë përfundimtare lidhur me komunizmin apo çfarëdo qoftë historike. Struktura e këtij libri ka parapëlqyer të tejkalojë (nëse mundet), çdo lloj ideologjie statike. Është një “analizë” që është vetë në lëvizje e sipër. Kjo fillon me vetë emërtimet e katër personazheve femra këtu: nëse ato kanë të katërta të njëjtin emër, gjë që mund të duket e çuditshme, por nuk është krejt e pamundur. Ekziston qoftë edhe një mundësi e vetme që katër shoqe të quhen Alba. Dhe libri luan pikërisht me këtë mundësi shumë të vogël, por ekzistuese natyrisht. Ato të katërta “marrin përsipër” të parakalojnë në rang dallaveri, apo thashethemi, një seri me ngjarje e fakte, reale apo të shpikura, sa për ta degjeneruar në rrënjë etatizmin fiks të historisë gjoja përfundimtare të ish regjimit, por dhe të çdo regjimi para ose pas komunizmit. Ato nuk kanë asnjë fjalë përfundimtare për të ngulur. Ato nuk janë kandidate për deputete dhe shpresoj të mos bëhen kurrë të tilla. Ato s’kanë qenë aty në Fillim të kësaj historie, atëherë s’kanë përse të jenë aty edhe në Fund.

Prapë duket që romani ka një organizim muzikor në bazë. Nëse është e saktë, në çfarë mënyre shtjellohet ky muzikalizim i tekstit të shkruar?

Në fakt e gjithë lënda e të ashtuquajturit komunizëm lokal shqiptar, është këtu një shkak, një sebep. Ideja është për ta “instrumentalizuar” këtë rrjedhë historike, ashtu si loja e një pianisti, të themi si interpretimet e shpejta dhe plot kontrapunkt të Glenn Gould-it apo Yuri Egorov-it. Një komunizëm i vënë krejt në kontrapunkt, që gjëmon më shumë fantomat e komunizmit në shoqërinë tonë të sotme. Kjo është ideja. Mendoj se kjo ka qenë më e vështirë për t’u realizuar: angazhimi drejt një teksti sa më muzikor, por ama jo fort human, por më shumë instrumental. Ideja ime është që në fund “askush” nuk duhet të fitojë, me qëllim që të paktën të mos ketë asnjë humbës. Sa më larg lojës hegjemonike të pushtetit, të atij që e bart dhe atyre që ia atribuojnë, dmth ne të gjithë, ky libër tenton më shumë ta nënqeëshë këtë lojë nga këndi i vet.

Disa imazhe të problematikës së sotme sociale dhe politike janë të dukshme në roman. Ku nis ky angazhim?

Imre Kertezs thekson me të drejtë që shoqëritë e ish Lindjes nuk guxojnë mjaft të reflektojnë mbi të shkuarën e tyre të përbashëkt. Mendoj se kjo është e dukshme: rusët kënaqen duke evokuar numrin e tyre popullsisë dhe herë herë të shkuarën staliniste për t’i bërë “karshillëk” Perëndimit. Polakët kënaqen duke mallkuar rusët që ua “hodhën” komunizmin përsipër, meqë kanë patur një papë në vatikan. Dhe ne në Shqipëri mjaftohemi tashmë vetëm me bezdinë serbe, duke atribuar vetëm një emër të përveçëm për çdo gjë që lidhet me ish komunizmin te ne, e duke evokuar patetikisht soj soj legjendarizmash sa herë përballemi me deficitin tonë mendor e shoqëror në epokën e sotme. Ligjërimi i këtyre katër “historianeve” femra, të ngjashme, besoj, me ato të Filozofisë në buduar, vetëm sa e pështyn këtë histori, duke përdorur teknikën e telefonit të prishur, të fjalës së qarkulluar. Sepse tek e fundit, e gjithë dija është veç një pasuri e trasmetuar, në lëvizje: mesazhe të kapura, të interpretuara e të keqkuptuara, si kudo e si në çdo kohë. Por ama mbetet gjithmonë edhe emancipimi, në fund.

Përse libri merr përsipër një narracion mjekësor, gjë që është disi e rrallë?

Në thelb libri nis me rrëfimin e një ndërhyrjeje kirurgjikale, por të thjeshtë, të rangut estetik: një operacion në vesh, që ka pësuar njera nga personazhet. Nisur prej këtej, libri Katër mundohet të kapë një historik të zhvillimit mjekësor e hospitalor të Shqipërisë në 50 vitet e shkuara. Qëllimi nuk është aspak të verë në emulacion apo të nxjerrë mangësinë e këtij zhvillimi. Eshtë thjesht një filtër më shkencor, në vend të rrëfimit tipi mallkim-i mallkuar lidhur me këtë periudhë tonën. Sepse ajo që është dhe mbetet nën mallkim në këtë histori besoj është vetë gjuha, e mbingarkuar nga kategorizimi, nga mungesa e dëshirës për konceptualizim, nga bjerrja e pluralizmit, nga heqja e mundësisë për liri të menduari në vetvete. Këto tipare të injektuara në gjuhë ia kanë lënë terrenin të gatshëm -në Shqipëri - çdo lloj pushteti sot që i merr njerëzit vetëm si hedhës votash e si spektatorë të një katarsisi fals, politik e spektakular. Elfriede Jelinek, kur denoncon hipokrizinë historike austriake, këmbëngul se gjuha vetë duhet shkundur tashmë të flasë. Ky mësim, që ka nisur gati 80 vjet më parë, mendoj është i vetmi udhërrëfyes në këtë libër.

lunedì 22 giugno 2009

E kundërta e një fjale prej burgu
Krenar Zejno

Po e nis këtë fjalë gabimisht. Pra, me këtë meditim mbi gabimin, nga një prej vargjeve të ekspozuara të të dënuarve, që mban emrin Dritan Mustafa, Burgu Vaqarr 17.10.2003:
Pyes veten ç’mund të jetë një gabim / Qoftë vepër e paligjshme / Apo fund pa kuptim
Por çdo njeri duhet të kuptojë / se në këtë botë / ekziston edhe fjala mendoj

Këto rreshta, varur në këtë sallë biblioteke burgu, janë vargje prej të burgosuri. Ose dikur të burgosuri, ndonëse, tashmë jo vargje të varura a të burgosura, si dikur. Dhe kjo fjalë sot në këtë burg, nuk është më burgu i dikurshëm për një fjalë. E di që sot, këtu, kjo nuk do të mjaftonte edhe si ngushëllim, por nuk është faji im.

Gabimi është njerëzor, ndëshkimi me burg është prej njeriu. Sidoqoftë, edhe ky duhet të ketë fatin të mbetet njerëzor. Thonë që e rëndësishme është t’i shpëtohet atij hyjnor. Shpagimit njerëzor i takon, pra, një ndëshkim që e mban gjithmonë parasysh njerëzoren; si dhe, nën një trajtim të tillë të dënimvuajtësit, të denjë për rikthimin tek njerëzit. Heqja e lirisë për të qenë tek jeta e zhurmshme, nuk mund të jetë izolim i jetës për të ardhur tek ju, të izoluarit e përkohshëm, pasi kështu i shtojmë ndëshkimit një të dënuar të ri, gjigand – vetë jetën e shoqërisë, shoqërinë. Ndaj sot jemi këtu.

Një fëmijë prej prindërish që tash kryejnë diku një dënim, Fatjoni, që e ka të shkruar, qysh në emër, vendin brenda fatit tonë, është sot këtu para jush, para nesh pra. Jam thirrur për një fjalë mbi artin, për të lexuar poezi tuajat, edhe për të ndihmuar sadopak që Fatjoni, i cili pikturon, të bëhet piktor. Ai më tha, rrugës nga shtëpia e fëmijëve për në burg, se donte të bëhej futbollist. Bukur! E rëndësishme është që njerëzit, më së pari, të jenë të lirë para zgjedhjes së tyre, qoftë edhe gabimit. Rrugës drejt jetës, aq më tepër në art. Një i mënçur ka thënë, se jeta jonë kalon edhe përmes gabimesh që mandej, i quajmë eksperiencë. E thënë shqip i bie më mirë përvojë. Pse ka rrjedhur ndër kohëra, ndoshta prej fjalës përvojtje, vuajtje. Edhe si kjo e juaja. E thamë, janë edhe ato kohërat kur që të gjithë nuk kemi qenë të lirë, as për të zgjedhur gabimin. Ama, kësisoj mund të mos e kishim kryer fare fajin, thotë dikush! Por, sot po flasim për gjëra të artit dhe jetës, përndryshe, ja ku është burgu, bile i bie më kollaj duke kaluar edhe nga ana e vdekjes.

Duke i qëndruar bisedës, pra, njeriu si i gabueshëm, dhe me përvojat e veta prej gabimi, është natyrë rrëfimtare, e në mos do kemi gjithherë diçka të mirë tonën për të rrëfyer, arti bujar pranon gjithçka të rrëfyer mirë, që më tej do t’i shërbejë vetes dhe të tjerëve të cilët e ndjejnë. Për të njohur dhe gabimet, edhe të tyret, që u rrinë pas shpine. Arti mund ta ekzagjerojë, meqë edhe vetë ai është ekzagjerim, kur do të na mëtojë se jeta është e bukur pikërisht ngaqë s’ka kuptim. Ndoshta kjo në kuptimin artistik. Por ne mund të besojmë këtu atë pjesë që na bën të kuptojmë se gabimet bëhen edhe ngase kërkon t’i japësh gjërave të jetës më tepër kuptim se ç’mbajnë, dhe të kapesh me thonj pas këtij kuptimi. Me thonjtë që siç dihet rriten kollaj. Dhe, sidomos, të mos i japim jetës, me çdo kusht, kuptimin tragjik. Pavarësisht nga kushtet. Sepse kjo ishte, ndoshta, mënyra e shikimit që solli gabimin e ndëshkueshëm dhe dënimin.

Ndoshta ka që janë dënuar më pak se faji, mbase ka që janë dënuar më shumë se gabimi. Janë edhe ata që janë ndëshkuar ndryshe nga ç’kanë për të shpaguar. Edhe ata që s’janë dënuar.
Asnjëherë gabimi dhe ndëshkimi s’do të jenë krejt të përputhshëm, që në këtë botë. Ngase mund të puthen dy gjëra të ndryshme, por jo të kundërta. Duhet vuajtur dënimi, por pa vuajtur edhe mbi marazin lidhur me të. Nëse ka ende vend për të drejtën, duhet kërkuar. Se dënimi mund t’i zërë vendin gabimit, por s’duhet të bëhet një tjetër gabim edhe vetë; madje edhe jashtë së këtejmi, ku thonë se ndonjë gazetë shkruhet brenda një gardhi, apo një shkollë mëson brenda një rrethimi, gjëra që nuk përputhen dhe janë e kundërta e njëra-tjetrës.

Ka një rresht letërsia, që mban emrin Gëte: “lermë çast të të jetoj!” E që është e kundërta e “lermë jetë, të të dorëzoj te çasti”. Cilido qoftë ai. Para, gjatë, apo pas dënimit.
Në mur janë edhe këto rreshta pa emër, prej një të dënuari, thonë me burgim të përjetshëm.
Të kam kërkuar disa herë falje / që të dua, sepse di që, / jam i tepërt për ty. /
Të lutem hapi sytë / ktheje kokën pas dhe / shiko se si po zvarritem të të arrij...

Është një varg i vdekur që mban gjallë vetëm shpresën e të përtejmes. Ose ndoshta e mban gjallë njeriun që tenton të vargëzojë. E meqë jemi te gabimi, krimi im është se e lexoj gabim, duke i shkëputur vetëm një copë:
falje që të dua,
sepse di që jam i tepërt për ty.

Dhe vetëm nëse do të ishte kështu, drejtuar faljes dhe jo viktimës, dedikuar faljes, ky bëhet nga ato vargje që mbajnë gjallë poezinë. Pa qasjen e së cilës brenda jetës, njeriu nuk do ta kish dashur kaq shumë lirinë. Sidoqoftë unë e lexova gabim, krejt gabim, kërkoj falje për këtë. Pse krimi dhe poezia ngjajnë, ngase lindin prej inkoshencës dhe keqkuptimit.
Ja, dhe një tjetër varg:
As.../ As lumë / As breg / As tokë, as qiell / As mall, as urrejtje / As jetë, as vdekje / As dritë, as terr / As tmerr

Fatmirësisht për autorin, ky varg e ka titullin “Dashuri”. Kështu e ka quajtur ai vetë, i zoti i vargut. Që, sidoqoftë, na kumton se ai jeton, mbahet në këmbë, shpreson. Sërisht, si pa dashje e lexova gabim, pa e vënë re titullin. Fatkeqësisht për poezinë, ky varg nuk e ka titullin “Burg”. Metafora e dashurisë si një burg është një nga ushqimet më të kripura të poezisë. Sidoqë, njeriu, sado poet, nuk e ka gëlltitur dot metaforën e burgut si dashuri. Edhe pse poetët kanë kryesuar kudo, ndër kohëra, listën e të dënuarve që ligji u pat caktuar shpagim.

Për fat, ky ishte një varg mbi një letër tashmë të zverdhur ngjitur në mur, që më bën të shpresoj se është hedhur vite më parë. Në të tjera kushte. Burgu i njerëzve meriton kushte sa më njerëzore. Dinjitetit njerëzor i duhet ky kusht. E kundërta e këtij kushti e ka vendin tek ajo çka lidhet me dhunën apo heroiken nëpër faqet e historisë, që e pranon dhe njërin dhe tjetrin kusht. Ndërsa ajo e ndërmjetme “as ... as”, që do të na shpallte ky varg i kryer mbase vite përpara, të cilit i ndërruam, pra, gabimisht titullin, meriton veç të bëhet kurban i letërsisë. Dënimi duhet të ketë dinjitetin e vet që shoqëria të pretendojë lirinë e saj dinjitoze.

Dhe për ta mbyllur këtë fjalë, po kthehem sërish te Fatjoni. Fatjoni thotë se pikturën e ka për qejf. Ndërkohë mua më kanë thirrur për të parë se çfarë thotë vizatimi i tij për hallet. Si përkthehet vizatimi për të thënë dertet që mund të ketë ai vetë. Vërtet tentativa drejt artit mund të lindi edhe prej hallesh, të cilat mund të bëhen edhe zembereku i tij. Por, këtu, kjo është një temë për psikologët e burgut. Mua do të më interesonte fjala. Dhe ndër fjalët e fëmijës, ajo fjala qejf. Pra, ai ka qejf. Dhe ka qejf të ketë më shumë se një. Kaq qejf të bëjë dhe të bëhet. Të bëhet futbollist dhe pikturën ta bëjë për qejf. Ka qejf të bëjë një gjë, dhe të projektojë qejfin e të ardhmes. Jeton në të ardhmen. Ndonëse, me dy prindër të dënuar, për çështje të miturish si ai. Për një copë të së djeshmes. Por që e ardhmja e tij nuk dashka ta pranojë. Shumë mirë. Dhe ndoshta nuk do ta pranojë. Aq më mirë!

Refleksion nga një fjalë në burgun e Vaqarrit. 16 Qershor, 2009