sabato 30 maggio 2009

LEGJENDA M, NJE SATIRE E DHIMBSHME

Legjenda M, Një satirë e dhimbshme
13 kapituj për 13 pikë llotarie pyetjesh.


Intervistë me Krenar Zejno

Krenar Zejno pas poemave dhe vëllimeve të tij me poezi, më së fundmi ka ardhur para lexuesit me librin e tij në prozë “Legjenda M”. Për Kult Zejno tregon se çfarë sjell ndryshe në Letërsinë shqipe “Legjenda M”, ku është frymëzuar dhe çfarë presim më tej.


1. Ka pak muaj që qarkullon “Legjenda m”, libri juaj i fundit, ndërsa pritet edhe vëllimi i dytë. Së pari, a ka një masë përmes së cilës maten kategori si “e keqja” apo “e shëmtuara” në lëndën e një romani?
Një Zot e di! Pikësëpari është vetë Ai, që me veprën e tij kompozoi realitetin e dhënë, realen bashkë me të pështirën e vet, që e mbartim me vete tok me gjërat që brënda gjithësecilit ngjizen edhe me të shëmtuarën e të Keqen. Për pjesën e artit i janë përgjigjur kësaj pyetje të mëdhenjtë shkrimtarë, qysh herët e deri te piktorët Duschamps, Dubuffet e më tej.

2. Kjo lloj satire e dhimbshme sipas jush është atribut i romanit modern?

I romanit pa mbiemër, së pari i vetë romanit, klasik apo modern, qysh prej lindjes së tij,
nga Rabelais te Cervantes deri te Swift e Joyce mandej Beckett, Kundera e Kadare,
Mc. Ivan e të tjerë... apo dhe filmat që rrjedhin prej tyre nga Pasolini te Kubrick.
“Satira, tha Swift, është një pasqyrë paksa speciale: kush shihet në të, njeh jashtëqitjet e gjithë të tjerëve”.
Rabelais, gjeniu prej të cilit nisi gjinia e romanit - na e kujton gjithëherë Kundera - tregon se Gargamella, që ishte me barrë, hëngri gjithatë plëndës, sa që u detyruan t’i jepnin ilaç për ta bërë kaps, kështu fetusi i të paudhit Gargantua u vërvit në damar të aortës dhe duke u ngjitur sipër përfundoi të dalë nga veshi i majtë.
Mezi e prisja që satira e mjeshtrit ta kishte pjellë nga prapanica. Dhe po prisja që Rabelais ta zgjidhte si një rrugë e dy punë, me një gur dy zogj: pra, bashkë me shpikjen e artit të ri- romanit, të na pararendte edhe profecinë mbi lindjen e Njeriut të Ri.

3. Nuk ke ndonjë pendesë për këtë shpërfaqje të së keqes së krupëshme?

Jo dhe aq! Për mua të voglin do të mjaftonte fakti që vetë Yahveh u pendua pse pat krijuar njeriun, duke parë me ç’ligësi shkonte drejt së keqes ky ditëzi. Pastaj, e keqja mbetet arti bazë i njeriut, për më tepër këtu, në një botë libër.

4. Kush do të ishin linjat teorike ku rrugëton një subjekt romani i kësaj forme?

Nuk është detyrë e imja në këtë rast ta di këtë, por po të thoja nuk e di fare do të pretendoja edhe më tepër se ç’mund të jenë në fakt.
Megjithatë, do ta vija gishtin si në qull tek iluzioni darvinian dhe materializmi marksist, prejardhja e përbashkët e llojeve dhe më tej shndërrimi në një lloj të vetëm njeriu të ri. Ndoshta janë këto kollonat që mbajnë trupin e “legjendës M”. Nga i njëjti lloj bëhen shumë lloje, por që prapë janë një. Dhe nga shumë lloje sistemesh shkohet me shndërrim të forcuar tek i njëjti lloj. Jashtëqitja bëhet status-simbol i gjithë kësaj, ndërsa ajo fjala “konkretisht”, e cila përsëritet në një ritëm psallmoid, status-quo e gjëndjes që e mbart dhe vijon si një cikël i mbyllur dhe rreth vicioz.
“ Njerëzore, tepër njerëzore” e thoshte Niçe, pra njerëzore me tepri por jo pa karar.
Me Darvinin zë fill ndoshta kthimi i vështrimit për nga vetja si aventurë filozofike dhe arti. Ashtu si merr ngarkesë fiziologjike edhe vepra e Niçes apo poezia e Rembosë, Bodlerit, të cilët qysh prej çastit gjenial të tyre nuk panë më peisazhin nga një dritare, por përkundrazi, njeriun në hapësirën brenda dritares, duke e vështruar dhe kqyrur atë nga jashtë. Siç mund ta shohë lexuesi dritaren e dizenjuar të kopertinës në këtë libër. Dhe mandej për të hyrë në brendësi të ndërtesës dhe kujtesës. Sa pa ardhur harresa e një epoke terri obskurantist dhe pa u shpërfillur përfare ankimet e filozofisë mbi “harresën e qënies” si dhe lutjen e saj për t’u kthyer e bërë bekçiu i qenies. Të mos harrojmë, meqë jemi te harresa, edhe banalitetin e atij regjimi absurd të cilin libri e trajton më direkt, ku bariu i qënies së re nuk lejohej të ishte vetë qenia, por tjetërkush. Ndaj në këtë vëllim qënia synohet të shihet edhe nga poshtë, nga jashtë qitja e saj, sidoqë edhe po qe se nuk shikohet ndonjë gjë e madhe, ama të paktën thuhet ajo që duket.

5. A thotë diçka të re legjenda M mbi njeriun?

Të re, së paku për njeriun e ri, po. Por ndoshta edhe njeriu në përgjithësi modern nuk ka si rroket në tërësinë e vet pa qëmtuar karakterin e tipizimin fenomenologjik të njeriut të Ri. Filozofia përmes Faucoult-së tha se vetë Njeriu është krijesë e dy shekujve të fundit, prej mutacionit kulturor. Ndoshta njeriu i absurdit prej regjimi komunist do të ketë, ndër hulumtimet mbi risitë e modernitetit, një llozhë të vetën nëpër rrokapjekthet studimore, bile në pozicionet qëndrorë.

6. Gjithsesi, për t’ia mbërritur këtij qëllimi nuk kishte të tjera trajta më pak të rënda e mizore se jashtëqitjet?

Një mizë mbi një copë jashtëqitje është në parajsën e vet të muzave, një mizë ndër mjalt ka cofur qysh prej rënies në këtë grackë të sheqerosur.

7. Kjo shtrydhje e lëndës, që ju e quajtët edhe dehidratim i frazës, fjalës pa përshkrimin e zgjatur prozaik, është tashmë tipik në frazën tuaj, apo jo?

Në rastin konkret mbeturinat ushqimore të trupit janë në mënyrë të natyrshme koncentrat.
Së dyti, duke qënë i mrekulluar nga irlandezët e letërsisë së madhe, nga B. Show, Wilde, Swift, Beckett, të cilët e kanë sintetizuar me një mizori të hatashme, siç e thotë Borges, çdo tepri retorike, kështu pra tendencave të hershme të shkrimit tim të shtrydhur fort, si teshat para se të ndereshin në telin e robave, i është shtuar edhe ky telash, telashi i ujrave të tepërta. Tek e fundit unë ndjehem poet.

8. Atëhere, a ka ndikim prej Joyces, Orwellit, Celinit e të tjerë, botuesi i të cilëve ju jeni, kjo mënyrë e përkorë të shkruari?

Përkorja është virtyt poetik thotë sërish Borges, meqë e morrëm nëpër gojë e kushedi po e zë lemza. Punën e lidhjes nuk e kam vënë re, makar të ishte! mbase keni të drejtë për formën e pakohë, pavendore dhe pa emra. Legjendare e disi bizare. Këta gjeni kanë madhështinë e katedrales, ndërsa kjo bëmë e vogël e imja atë të halesë, por dëgjo... nuk është pak! Edhe Kubriku në filmat e tij vrasjet i vendos të kryhen në WC, apo nga markezi de Sade te Kundera: dashuri edhe orgji në banesat ku prehen edhe mbetjet organike si në banesën e fundit. Pastaj, sot a nuk paguhet njësoj metri katror i banjos me atë të guzhinës apo dhomës së gjumit?!
Gjithsesi nuk do më vinte mirë që prania e këtyre ndër ne që merremi me ta, në formën e botimeve, përkthimeve dhe dashurive, të na fshihte pas tyre. Tek e fundit, siç e thotë Hygoi, ka një keqardhje më të thekshme se ajo përpara një pallati që digjet; dhe kjo është kur digjet një kasolle.

9. Personazhi në vetën e parë sikur nënkupton edhe një formë autobiografike të këtij romani.

- Personazhi, megjithëse në vetën e parë nuk shfaqet brenda në kohë, as jashtë kohës, por tenton afërinë me narrativën legjendare, pa kufij kohorë e vënde të përcaktuara, pra mundësisht ndër kohë. Nuk është njësh me autorin dhe bile nuk i bindet këtij, përsaqë ndjek qejfe dhe nevoja krejt personale. Mund të jetë një formë biografike edhe e njeriut të ri por jo vetëm, dhe jo autobiografike. Mbase i rri më mirë e thënë: bio grafike. Ose vetëm grafike, thjesht gjuhë. Por kjo nuk spjegon dot personazhin. E thënë me gjuhë mekanike, personazhi këtu është si një bullonë e spanuar që rrotullohet e liruar nga ingranazhet, por se lë karkasa e agregatit të dalë në hava dhe vjen vërdallë pa ndonjë funksion të spikatur, si çdo gjë e qitur jashtë.

10. Mendon se legjenda do thërrasë për reflektim dhe brerje ndërgjegje masën e lexuesit të prekur direkt apo tërthorazi?

Një libër nuk se duhet ta ketë qëllim këtë. Nuk e di fuqinë e saj, por mendoj se në një vend civil, jo vetëm akti i vetëdjegjes në publik por qoftë edhe gjesti i jashtëqitjes publike prej një shkrimtari, pavarësisht nga dëmi i vogël material, nuk do liheshin thjesht e qetësisht në tymin apo të pëgërën e tyre. Kjo nuk do të ishte e keqja e librit, por më së pari mënxyra dhe zgjyra e shoqërisë.
Sidoqoftë, ne sot i kemi ende plagët e hapura për të pasur lluksin e ndërgjegjes së vrarë, për më tepër përmes letërsisë. Shumë–shumë, meqë jemi në “legjendë”, mund të ndjehem nip i Gjergj Elez Alisë dhe të shplaj varrat e plagëve të mishëruara, si për të shpëtuar motrën a mbrojtur pragun, pasi një shkrues i thjeshtë dhe aspak prej soji Noe- nip i Matuzalemit, që mori përsipër të shpëtojë njerëzimin nga destruksioni total, nuk ndryshon dot as botën përreth mëhallës.

11. Cfarë synon prej “legjendës” tënde?

Të kem një të ardhur të vijueshme. Një rentë është si mjerimi, thotë Celine, zgjat tërë jetën.

12. Shkurt, çfarë do të ishte, e përcaktuar me një frazë, legjenda M?

Me një fjalë të vetme, duke rrezikuar modestinë, do të thoshja: një legjendë.
Në fakt, me pak fjalë të një fraze, prej meje është parë e ka rrjedhur si një lojë, pra nën thanatosin si dhe kureshtinë lojcake infantile e profane të saj. Si fëmija që luan me një lodër teksa e shqyen, apo me një bombë që ia di turbullt rrezikun, por s’e shkon hë për hë në mend; ose luan me fekalet, i hap me shkop, i bie me shufër dhe pret symbyllur pickitat, që në variant më të squllët mund të thuhej edhe stërkalat.

13. Si ndjehesh në përfundim të vëllimit të parë të kësaj aventure letrare?

Si ai shoferi i autobotit të komunales, i cili në ndonjë ëndërr agimi para se të bjerret zilja e sahatit kinez me zog pule ngjyrë limontie- tek çukit parreshtur gurriçkat e sekondave por nuk rritet -, iluminohet nga vetë cilësia e ëndërritjes ose emri iluminist i ndërmarjes. Dhe ja ku po e nget si i marrë gazin 51-sh me rrotat e shqyera e të kthyera si në drejtim të parajsës. Pastaj brof përpjetë nga zilja mëlçigricëse e orës së socializmit, shkundet prej ëndrre, thotë shyqyr, vesh fanellën e leshit të qëmotit, shtrëngon rripin e pantallonave dhe ia kris drejt komunales. Nën rrëmujën e hamendjeve mes komunizmit dhe hales. Duke parë hënën e agut që po tretet dhe sahatin batall të qytetit, teksa ndërmend fëmijërinë, mësimin e anglishtes “the moon” dhe orën e Grenwicit, me frikën se mos i bëhet vonë për punë.
Pastaj, prej vëndit të punës e sheh veten në ëndërr syhapur mu në një ish- lëndinë lotësh, shtruar me yje të ndezur si thepa pishtarësh me 5 cepa, të cilën do duhet ta përshkosh i zbathur për 50 vjet me rradhë, herë me vrap e herë me hap pak ushtarak, gjithë fushën nga kreu deri në horizont prej nga krakëllima e gazit 51 mezi dëgjohet, por për fat, në fakt, duket qartazi ajo shtëllunga e tymit, ndërkaq ia grah megjithë 52 letrat e bizhozit në xhep dhe 53 lekët e ditëpunës, a thua po të përzenë 54 kuçedra me në krye nenin ogurzi 55, ndërkohë që duke mos ekzistuar asnjë lloj neni 56, për të evituar hë për hë nenin pararendës, duhet, pa një pa dy, të zbërthesh para komisionit të batalionit karabinën vetëmbushëse model 57, ama e gjithë kjo vetëm në 58 sekonda dhe ta mbërthesh atë sërish për 59 të tilla, maksimumi i maksimumit një minut, përndryshe, minimumi që në këtë rast mund të të ndodhë...
E kështu me rradhë... gjer sa të kesh provuar të nëntëdhjetenëntat, teksa pret krejtësisht i qetë të të thërrasin për të t’punuar qindin.

Revista Kult. E mërkurë 27 maj 2009.