domenica 15 giugno 2008

BLOOM'S DAY DALBANIA

Krenar Zejno

Përkthyesi dhe shkrimtari i tij*

“Uliksi shqip ka kohë që pritet dhe për fat tani e kemi në duar, një tjetër vend bosh u plotësua në hartën letrare, në të cilën Joyce-i vendoi tema dhe koncepte që u bënë mbizotëruese në shekullin e tij.” Me këtë frazë të parathënies së Fritz Seen (presidenti i James Joyce foundation) nis odisea e leximit të kryeveprës së Joyce-it, Homerit të shekullit të kaluar, falë sfidës shumëvjeçare të përkthimit.

Lexuesi i apasionuar i detyrohet Idlir Azizit, fitues i çmimit”Penda e argjendtë” për pëkthimin e mjeshtrit të prozës modern, mundimit të tij prej Sizifi, që rrugëtoi në malore, duke u kthyer e rikthyer për vite me radhë nën peshën e rëndë të Joyce-it por, më së fundi, duke sfiduar me sukses (vlerësuar edhe nga studiuesit dhe kritika e specializuar).

Përveç trysnisë që mbart lënda e tij, me mbi dyzet mijë fjalë të reja, të papërdorura, përkthyesi gërmoi edhe në rreth dyzet vepra të tjera paralele për të sjellë në shqip një nga kryeveprat e letërsisë botërore dhe më e rëndësishmja e shekullit të kaluar.

Gjuha shqipe është e fundmja në Europë që përcjell ligjëratën marramendëse të Joyce-it. Vendimi “arbitrar” (për nga mundi) i përkthimit të korpusit xhojsian nga Azizi dhe botimi I veprës i dha fund arbitraritetit të vërtetë, atij boshi shekullor në kulturën shqipe të klasikut modern.

“Vetëm veprimet arbitrare lejojnë njeriut të themelojë ç’të jetë: gjuhë, shoqëri, vepra arti” – thotë Paul Valéry, dhe më tej: “njeriu është i ndryshëm nga unë dhe nga ju. Ajo që ai mendon, nuk është asnjëherë ajo për çfarë mendon. E para është nëj formë, një zë, tjetra merr të gjitha format e të gjitha zërat”.

Ndoshta është ky labirinthi celebral i monologut të brendshëm ku na ndërkall Joyce në pasqyrimin vetëm të një dite, të një njeriu mëse të zakonshëm, në një qytet pa bujë. Për të qenë sa më afër tij, edhe përkthyesi do të bëhej maniak i kërkimit të detajit e çikërrimave, duke ruajtur përthyerjet estetike, thellësisht urbane. Ai do duhej të bridhte Dublinin për të përçuar gjatë përkthimit sensin urban të veprës.

Shpesh herë, gjatë punës së tij, e quaja Idlirin shifrant ose përkthyesi i gafave, pasi ai rrekej të zbulonte shifrën e saktë mbi të cilën thuret lënda sin ë një alphabet secret, për të ruajtur koherëncën e karakterit të veprës përgjatë lajthitjeve koshiente të shkrimtarit dhe gafave të pasoçme të tij.

Por “gjeniu nuk bën gabime,” parajmëron vetë shkrimtari, “gafat e tij janë të qëllimshme dhe janë dyert e zbulimit”.

“Ky libër,” do të shprehej Thomas S. Elliot, “ka vlerën e një zbulimi shkencor”.

Përkthime të tilla implikojnë studime të gjera, të kombinuara, që përkthyesi i përgjegjshëm dhe i apasionuar detyrohet t’i kryejë.

Pa gjykuar mbi nivelin e përkthimit, sepse thjesht nuk jam në gjendje, por duke njohur cilësimin “uragan i papërkthyeshëm fjalësh” apo “monument i errët dhe i pakuptueshëm” e përligj merakun e atyre pak, fare pak, lexuesve ekzigjentë për cilësinë e përkthimit, të cilët i ftoj, si botues i veprave, në përçapjet që organizojnë për të shijuar sado pak universin xhojsian.

Ndërsa dikush, që ndoshta pa lexuar apo thelleuar, dërdëllit në dëm të vlerës së përkthimit apo deri dhe vetë kryeveprës, e cila nuk mungon në asnjë vend të botës ku fjala ka themeluar qytete, më bie në mend përsëri Valéry-a: “E shumë mirë se sa “kimerik” është ideali im. Zakonet e lexuesit modern, të cilit jeta dhe efektet e çastit ia bëjnë të pakuptueshëm çdo kërkim të strukturës, sigurisht nuk këshillojnë të përhumbesh kaq larg”. Duke ditur edhe përhumbjen jo pa pasoja të përkthyesit, komenteve dashakeqe, do t’iu shkruaja me penën e Gëtes që thotë, pak a shumë, kështu: “Si nuk e lënka cmira këtë llosh që rri gjithherë pas gatrave, me duar lakmitare rrëmih për rresqe dhe s’mbahet nga gëzimi kur gjen rrënjë”.

Ashtu si Uliksi i Homerit u bë zgjedhës te Kalipsoja midis përjetësisë dhe atdheut, Joyce-i zgjodhi Dublinin e tij për ndërthurjen e multikoncepteve të veprës së vet madhore. Gejniut iu deshën nëntë vjet për konceptimin unikal të hapësirës dhe kohës së vetëm një dite dhe një qyteti, si dhe trajtimin poliedrik e të gjithëplotë të pjellës së tij. Paskëtaj do të ishin përkthyesit kurajozë në mbarë botën që do të bënin zgjedhjen midis jetës më komode apo viteve pune skrupuloze, për t’i dhënë gjuhës së tyre Uliksin.

Në galaktikën xhojsiane gjejmë mitologjinë pa mit; historinë pa historira; antikitetin pa lavdi; të ardhmen si hije paralajmërimi për të tashmen; boshin pa zbrazëtirë; rastësinë mbret dhe mbretin rast.

“Ky është libri të cilit të gjithë i detyrohemi dhe prej të cilit askush prej nesh nuk mund të shpëtojë”, - do të shprehet një tjetër gjigand i letrave, Thomas Mann.

Shpresoj të mos ketë vend pesimizmi, ndoshta i drejtë, i Alket Çanit, që, me rastin e botimit të Uliksit, duke ditur dhe vlerësuar mundin e kolegut dhe mikut të tij përkthyes, shkruante: “Edhe pak… dhe vepra të tilla nuk do kemi më njeri të na i sjellë”.

“James Joyce – apokalips letrar në kulturën shqiptare – do të shprehej Moikom Zeqo, emri i Joyce-it është një seancë spiritizmi e pazakontë, duke thërritur shpirtin e tij kemi thirrur gjithë shpirtrat tanë, ndjesitë shumëfishohen, mijëra engjuj të natës vdesin sapo agon, të vjen të mbledhësh të gjithë trëndafilat e stuhive për t’ia dhuruar dikujt.”

T’ia dhurojmë ato përkthyesve, për ta shndërruar këtë mbrëmje të ënjte të çmimit pendës së artë në traditë të vlerësimit të merituar të talenteve, mundit, punëve të mira dhe për ta kujtuar atë duke patur kurajon të kundërshtojmë të paktën për një ditë Joyce-in që na thotë: “Çdo e premte i bën varrin të enjtes që ka përpara”.




*Nga fjala e mbajtur me rastin e dhënies së çmimit Penda e argjendtë në përkthimin dhe botimin e Uliksit (Zenit, 2003, përkth. I. Azizi).

Nessun commento: