amourir
Si l’amour existe encore
do pëlcas sa shqip ta gjej e ta fal
atë çka quajmë dashni fjalë për fjalë
E pastaj të ta them me kuisje lemze
si një lehje e vetmuar, prej këtu
mes bushtrash që ty të ngjajnë
Kryq e tërthor po i bie globit plastik
varur në pranga çelësash ku ma dhurove
kur gjuhës tënde i kalla tingull magjik - të dua!
Je t’aime! E di, gjer në rropulli. Moi je t’aime aussi.
C’do bëhet me ditën, kur globi më t’mos rrotullohet?
Zërat e shkrirë në duet ndahen e luajnë muzikë rrokulli.
C’est la vie! Se la vijë të purpurt tek jeta ime, je t’aime!
Globin tënd trokas e tingullin ma kthen si kokë idioti:
edhe fjala vetë plastike është, mon ami bohem!
Se dashuria në s’do ishte një fjalë boshe
në një boçe plot e përplot me falje
ç’dreqin, pra, do të na ishte?!
Lemzë
Lermë zë
në lemza nga kumbimi yt.
Kur gjumi s’do të gdhihet,
s’i vjen mbarë e për shtat,
le t’më ngrehen hingëllima
komb në fyt.
E t’më kujtojnë
porsi sahat mishi kurdisur
kur ora këputet e bie shtatë
ato orëgazmore kokëkrisur
teksa akrepat mëngjesore
plandoseshin frelëshuar
njëri mbi tjetrin gremisur
Posi orët, tetë pa njëzet!
Mjaft! Edhe dy minuta! Jo.
Iku treni, mbet ura, lum’e det.
U shterr boria, edhe zilet reshtën.
As dashuri e hazdisur s’na qenkej jetë.
Na la dhe ky tren, s’ishte e thënë, kaq e pat.
Uturima shtrirë ndër vagona jetësh, gjerë e gjatë.
Lemza fjollëhollë grahin, në tymnajë hirushe si gratë.
E s’mbet gjë, më e pazgjidhur me besën e kujtesën
se sa ai gulç e ngërç, mbytur vokalicave zanore
ndërsa dot s’i ndal, as i hesht dhe as i zgjat.
Po të dërgoj me postum grimcash pluhuri
muzik hingëllimë nga kordat e fyellit tim
si trokthe pegasosh ku cyten, kacafyten
lemza që bëzajnë makthin e harresës.
Nessun commento:
Posta un commento