martedì 10 giugno 2008

Loja e Mbrëmjes


Blv.B.Curri P.Agimi Tirane tel: o4 271 640


"LOJA e MBREMJES"

Sa për thashethem: Sokrati na tha se Platoni kishte thënë që krijimi nuk vjen nga aftësia artistike por sa jemi të zotëruar nga muzat; sa dalim jashtë vetes, pre e ritmit, frymës. Dhe se Poetët janë qënie eteri; nuk mund të krijojnë pa frymëzim, por larg vetes, larg arësyes. E pra sa i lejojmë muzat t’luajnë me ne.

Ndërsa Bodleri, kur iu desh të qesëndiste këtë rëndësirë të arësyes, na e tha kështu, thjesht kur gjeti rastin për dikë,:

Ishte aq pak elegjiak dhe aq pak prej eteri sa do t’i kallte krupën edhe një noteri.

Si për thashethem: dikush më tha se i kishte thënë Shpëtim Kelmendi që Farudin Attari pat thënë se Profeti i thotë se i Madhi Zot e ka gjithë sëndukun e dijes poshtë fronit ku prehet, porse çelësat varen në gjuhën e poetit. E për ta shprehur e për t’u shfrehur në këtë dëlirë e delirë, çiltërsie dhe çeltërsie paarësyeje të arësyeshme, na duhet ta marrim e ngasim me ca filozofi jete e anti-jete, pra ca vargje, ca poezi. Poemë dhe Prozë. Proemë!

Ji gjithëherë, edhe në prozë poet! E thotë ai vetë - Bodler.

Këtij cikli periodik apo antiperiodik, një herë në kaq ose aq kohë ( si t’ju dojë kokrra e qejfit!) që po nisim sot me katër autorë gjigandë si takim shpalljeje, për superstición do t’i jepnim zë më 16 Qershor- Bloom’s day- në honor të Joyceit dhe të parit botim Zenit. Cikli do titullohet: Loja e Mbremjes sipas titullit të intervistës më të rëndësishme të James Joyce, me shkrimtarin çek Hoffmaister (The Game of the Evening).

Loja do të vijojë kështu: Për nder të numrit 4 (numër i respektuar në numerologjinë e Joyces dhe Becketit, si dhe emblema me katër trupa Zenit) do të kemi nga një cikël me 4 takime - një takim me katër autorë (3 të huaj një shqiptar) që do pasohet me tre takime rradhazi me nga vetëm një autor.

Si dhe në nderim e përulje të mitit të krijimit që na cyt të qisim dicka prej hicit, përfshirë kotësinë e leximit të poezisë. Aty ku ekzistenca nxjerr në pah të tjera forma. Ku hiçi hap një formë për të rilindur. E ndoshta, ku qenia e hiçi puqen- a thua nirvana- gjendja absolute e meditimit. Vedanta- sistema ( se kur flitet për lindje, pjellje, bezdisin fjalët e gjinisë mashkullore) metafizike indiane ka për ide që gjithëçka, krijimi nuk është tjetër veçse lojë, kuptimi i Lila-s. Dhe Loja me Lila mund të jetë vetë kotësia, që jo të gjithë e kanë luksin ta luajnë.

Nëse një ditë do lodhesh duke menduar përjetësinë luaj me poezinë! Dhe bëj sikur këtë ta tha Li BO. E kështu ti mund t’i thuash Huan CU-së ç’të të dojë qejfi; e ai të bëjë sikur të dëgjon. Dhe duke bërë, diç bëhet. Edhe po s’u bë diç mbetet. Vargu. Ëndrra. Nëmospo, frymëzimi yt për të bërë frymë. Që dikujt do t’i hyjë në punë, kur mbetet pa frymë. Ka ca që i duan fluturat dhe e dinë se s’duhet t‘i vrasin larvat. Përndryshe, siç e thoshte Hygoi, do i përngjanin atyre që duan femrat por na i zhdukin veset.

Sepse përjetësinë e Poezisë e bën çdo ditë jetësia e saj, faqe më faqe (shalaqe më shalaqe dilet në faqe, Populli) çdo penelatë e hedhur vargu, kur në fund ngjizur penelatash, shkruesi i saj resht. Dhe heshturazi thotë: e hatashme! Sigurisht që mund edhe të mos jetë hata, po ku ta dijë, dhe tek e fundit pak rëndësi ka. Dhe në fund të ditës ndjen t’i thotë vetes: e fitova ditën!

Me po atë sfidë loje kumari, ankthi rrëgjues e të hareshëm që provon nëse fut dorën në një thes plot me ditë të përziera përzishëm, të njëjta, të barabarta së jashtmi dhe për fat dora zë pikërisht pusullën me ditën fatlume që pasi hapet, lexohet: dita e jote!

E kjo është një grimcë pluhuri nga përjetësia jote, përjetësia e përplotë: ajo anonime. Që i rri përjetësisë së gjithësisë në atë raport që çdo ditë mund t’i rijë ditëve të thjeshta njerëzore që kanë shkuar e do të vijnë, nëpër gjithësi. Dhe që dita të bëhet grimcë, ka nevojë që ta zejë dora letrën. E që të bëhen plot grimca, lypset që dora të tërheqë gjithherë pusullën që mbyll brenda saj shkrimin - dita jote.

Ka aq nevojë poezia të ushqehet me kurbane si kjo lojë e jotja, sa ç’ka ëndërrimi për iluzionin – bukën e tij. Mos u tut pse shumica e ka fare kollaj ta anullojë lojën tënde e të t’ kthejë në zhgjëndër: të provojë, të vërtetojë dhe të thotë se letrat e thesit na qenkëshin të gjitha me të njëjtin tekst të shkruar: dita jote.

Porse copa e përjetësisë tënde poetike nuk akordohet me shumicë votash. Ja jep edhe ti vetë, vetes. Qoftë dhe vetëm pak lexues miqësorë, që më vonë mund të bëhen shumë, e që pasi lexojnë ca fleta të shkruara prej dorës tënde, i thonë vetes: e fitova ditën! Se edhe në s’do thuhet e hatashme, poezisë do t’i mjaftonte vetëm hareja e saj, hareja përreth e brenda saj. Do t’i mjaftonte veç të thuhej për të: e hareshme! lojë!

Si një ditë drite prej ditësh - Dritë dite Poezie.

A(no)nimatum.

Nessun commento: